Sejko: Ekonomia do të rritet

06/07/2016 16:20

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko bëri publike vlerësimet më të fundit të bankës mbi gjendjen e ekonomisë.

“Ekonomia shqiptare ka shënuar rritje rritur në gjysmën e parë të vitit 2016, e mbështetur nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve private, ndërkohë që përkeqësimi i bilancit tregtar me jashtë dhe sufiçiti buxhetor i krijuar gjatë 6-mujorit të parë të vitit kanë vepruar në kahun e kundërt”, shprehet Sejko.

Banka pret që rritja ekonomike të forcohet edhe gjatë pjesës së mbetur të vitit, por paralajmëroi se rimëkëmbja mbetet e brishtë: “Banka e Shqipërisë pret një rritje të kërkesës së brendshme private edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit 2016, megjithatë, besimi i biznesit dhe ai i konsumatorëve mbeten të luhatshëm, çka ilustron pozitën ende të pakonsoliduar të kërkesës së brendshme private si motor i rritjes ekonomike”.

Sejko tha se banka do të vazhdojë ta mbajë në minimumin historik normën bazë të interesit: “Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë, gjykon se në mungesë të goditjeve të paparashikuara, stimuli monetar nuk do të zbehet përgjatë gjithë vitit 2016”.

Por, ai paralajmëroi masa radikale nëse situata në eurozonë do të përkeqësohet nga kriza britanike: “Në veçanti, politika monetare do të merrte një natyrë më të fortë stimuluese në rast të një situate ekstreme, që ne nuk parashikojmë të ndodhë. Duke shfrytëzuar fillimisht hapësirat e mbetura të përdorimit të instrumenteve tradicionalë dhe duke iu drejtuar edhe instrumentave jotradicionalë të politikës monetare”.

Top Channel