“France Football” zbulon kandidatët potencialë për Topin e Artë

05/07/2016 00:00

Jemi në ditët e fundit të Euro 2016 dhe në 3 takimet e fundit pritet të vendoset shumë, jo vetëm për këtë kompeticion futbollistik, por edhe për kandidatët për të fituar “Topin e Artë” këtë vit.

Revista “France Football” ka bërë një listë me 4 lojtarët më të mundshëm që mund të fitojnë Topin e Artë këtë vit. E përbashkëta e tyre është se janë pjesë e kombëtareve që janë ende në garë për të fituar Europianin, ndërsa bie në sy mungesa e Messi, i cili edhe këtë vit nuk arriti ta dërgonte në Argjentinë Kupën e Amerikës, madje deklaroi edhe tërheqjen nga kombëtarja.

Tre nga lojtarët aktivizohen me Realin e Madridit, të cilët janë Ronaldo, Bale dhe gjermani Tony Kroos, ndërsa i katërti në radhë është francezi i Atletico Madrid, Antoine Griezmann.

“Ronaldo ishte vendimtar në suksesin e Realit të Madridit me 16 golat e tij në Champions League, por “dobësia” e tij janë sërish paraqitjet me kombëtaren. Duke përjashtuar dygolëshin ndaj Hungarisë, ai i tiji nuk ka qenë një Europian i jashtëzakonshëm”, thotë France Football që nënvizon individualizimin e portugezit që sipas saj shpesh duket sikur luan më shumë për veten se për bashkatdhetarët.

Kandidati tjetër është Gareth Bale, ai që shpesh është përkufizuar si trashëgimtari i Ronaldos. Edhe pse është ende shumë larg të eklipsuarit të portugezit, France Football evidenton diferencat mes tyre, “Mënyra e tij për të ushtruar funksionet e liderit te Uellsi është krejtësisht e kundërt nga ajo e shokut të tij të skuadrës te Reali. Bale ja ka dalë të shkëlqejë edhe pa Cristianon. Është e vështirë, por nëse do të fitonte Europianin, futbolli mund të ofronte një surprizë edhe në këndvështrimin e Topit të Artë.

Kandidati i tretë është Antoine Griezmann. France Football evidenton paraqitjet e tija të mëdha me Atletico-n në Champions dhe rritjen që ka demonstruar në kampionatin Europian. Ndoshta në fillim ishte i lodhur, por më pas morri statusin e liderit te blutë. Dy paraqitje të tjerë spektakolarë, në gjysmëfinalen e së enjtes me Gjermaninë dhe ku i dihet në finalen hipotetike të së dielës, do të ishin dy argumente të fortë për kandidaturën e tij.

Në fund një tjetër kandidat, Tony Kroos i Gjermanisë. Në planin individual nuk është se ka bërë mrekullira, por historia e tij e afërt, fitues i Një Kupe Bote, dy Champions League dhe një Europian të mundshëm me Gjermaninë në 3 vjet do ta bënin Kroos padyshim një kandidaturë shumë të fortë. Pavarësisht se nuk bie shumë në sy, 26 vjeçari është një yll i vërtetë dhe nëse fiton Europianin do të ishte një kandidaturë e padiskutueshme dhe për Topin e Artë. Pas zhgënjimeve të Sneijder dhe Iniesta-n në 2010, kjo do të ishte dhe hakmarrja e madhe e mesfushorëve kundrejt sulmuesve.

Top Channel