Aeroporti: Faji i policisë. Njoftuam, por nuk ndërhyri

04/07/2016 00:00

Katër ditë pas grabitjes më të madhe dhe më të bujshme në historinë e Aeroportit të Rinasit, kompania koncesionare është mjaftuar me një deklaratë të shkurtër të zëdhënëses për të dhënë versionin e saj mbi ngjarjen. Që sipas TIA-s ka vetëm një përgjegjës.

“TIA ka ndjekur me shqetësim raportimet zyrtare të Policisë së Shtetit mbi raportimin më së paku të pasaktë të ngjarjes në fjalë. Theksojmë se njoftimi i TIA-s për policinë është bërë në kohën kur makina, bashkë me autorët e krimit, ishte ende në vendngjarje. Përveç kësaj, theksojmë se punonjësit e policisë kanë qenë të pranishëm në pistë, vetëm pak metra nga ku ndodhi grabitja”, tha Arlinda Çausholli.

Por zv.ministri i Brendshëm Stefan Çipa, në një deklaratë që pasoi atë të aeroportit lë të kuptohet e kundërta.

“Kamerat online kanë oraret se kur janë bërë filmimet. Del qartë orari se kur është lajmëruar policia. Ne i referohemi veç orarit që kanë kamerat e sigurisë, që janë në Aeroportin e Rinasit, edhe deklaratës që Policia e Shtetit ka bërë përmes drejtorit të Policisë së Tiranës. Le të lëmë organet të flasin se kush e ka përgjegjësinë”, tha Stefan Çipa.

Kompania private “ICTS” është përgjegjëse për shërbimin e sigurisë aeroportuale, e certifikuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar. Por TIA thotë se kjo kompani nuk ka të drejtë të ndërhyjë fizikisht.

“ICTS operon e paarmatosur. E vetmja forcë e armatosur në aeroport është Policia e Shtetit. Për sa i takon ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në territorin jashtë gardhit rrethues të aeroportit, nga ka hyrë makina, kjo është përgjegjësi e plotë dhe e vetme e forcave të Policisë së Shtetit”, tha Arlinda Çausholli.

Por “Airport Partners” refuzoi të merrte pyetje dhe të komentonte raportin e testimit të sigurisë, kryer më 20 prill nga Policia e Shtetit dhe Aviacioni Civil. “Airport Partners” nuk komentuan nëse kishin apo jo diçka për të thënë, nëse është i sigurt sot Aeroporti i Rinasit:

1. Nga futja e lëndëve shpërthyese
2. Nga futja e armëve të ftohta
3. Nëse punojnë apo jo kamerat e sigurisë së perimetrit rrethues
4. A kanë marrë masa nga 13 maji e deri më sot për të përmirësuar gjendjen e sigurisë së Rinasit

Të gjitha këto pyetje, në testimin e 20 prillit morën një përgjigje negative. Fakt tjetër është që TIA ka marrë raportin në datën 13 maj. Por fakti më i rëndë është ajo që ndodhi më 29 qershor, në mes të ditës, në pistën e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin e grabitjes së automjetit me paratë. Në pamje duken automjetet e TIA, që afrohen në vendin e ngjarjes gjatë grabitjes dhe nuk ndërhyjnë për të ndalur atë që po ndodhte.

Ndërkohë që në dy minuta të grabitjes, mjetet e TIA-s lëvizin në pistë derisa automjeti i grabitësve largohet duke ecur në mes të pistës për të dalë edhe nga rrethimi.

Top Channel