Përplasja Itali-Gjermani edhe në Formula 1

01/07/2016 00:00

Bota e motorëve dhe futbolli vazhdojnë të jetojnë sfida paralele mes tyre. Javën e kaluar për Itali-Spanjë ishte beteja mes Rossit e dyshes Markez-Lorenzo, këtë fundjavë ky gërshetim është bërë me botërorin e Formules 1. Të shtunën në Bordo’ do të zhvillohet ndeshja mes Italisë së Kontes dhe kampionëve të botës, Gjermanisë, ndërsa në Austri beteja është përqendruar te binomi Mercedes-Ferrari.

Skuadra italiane është në kërkim të fitores së parë në këtë sezon të Formulës 1, ndërsa Mercedes synon të forcojë akoma më shumë diktatin e saj në kampionatin më të rëndësishëm të garave të shpejtësisë.

Sfidën e parë e fitoi me Rosberg që dominoi provat e lira ndërkohë kryesuesin e botërorit që si apasionuar pas futbollit gjeti kohën të bëjë edhe xhonglime me top.

Por duhet pritur se çfarë do të bëjë Ferrari i cili ka në përbërje një pilot Gjerman, si Sebastian Vettel. A do të mjaftojë ky bashkëpunim që në Austri të fitojë skuadra italiane kundrejt asaj gjermane siç ka ndodhur rëndom në futboll, kjo mbetet për t’u parë.

E shtuna është dita e provave zyrtare në Formula 1, por edhe e klasikes së Evropës mes Italisë e Gjermanisë. Si për ironi gjermani Vettel preferon më shumë një sukses të të kaltërve kundrejt përfaqësueses së vendit të tij.

Rreth dy javë më parë piloti i Ferrarit tentoi të bënte dhe rolin e orakullit që me sa duket ka qëlluar. Pasi ka parashikuar fitoren e Italisë me Spanjën ka qenë i bindur edhe në përballjen me Gjermaninë, ku ka theksuar se edhe po ta fitojë Italia këtë përballje për herë të parë nuk do t’i vinte keq.

Se sa e sinqertë është kjo mbetet për tu parë, por për herë të parë Sebastian Vettel nuk do ta shpreh aq shumë keqardhjen edhe në rast eliminimi të Gjermanisë.

Top Channel