Kosovë, Thaçi pret kreun e NATO-s në Europë. Merr mbështetje për FA

01/07/2016 00:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në një takim komandantin e ri të Forcave Supreme të NATO-s në Europë, gjeneralin Curtis Scaparrotti, i cili ishte i shoqëruar edhe nga komandanti i KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta.

Përveç rolit të KFOR-it në Kosovë, Presidenti Thaçi bisedoi me gjeneralin Scaparrotti edhe për punën që është duke u bërë për transformimin e FSK-së në një forcë të re multietnike, si dhe për synimet që ka Kosova për t’u bërë pjesë e “Partneritetit për Paqe”, si një parakusht për anëtarësimin e saj të plotë në NATO.

 “Ne jemi duke punuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Janë shënuar disa përparime, por mbetet për t’u bërë më shumë. Gjithashtu, tani jemi të angazhuar edhe në transformimin e FSK-së në një forcë të re multietnike dhe që shteti ynë sa më shpejtë të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe, si një parakusht për t’u bërë anëtare e plotë e NATO-s”, tha presidenti Thaçi.

Thaçi shtoi se edhe Kosova, sikurse shumë shtete të botës, është ballafaquar me vajtjen e të rinjve në luftërat në Irak dhe Siri, por se me hartimin e ligjeve dhe mekanizmave për të parandaluar këtë aspekt, në 10 muajt e fundit asnjë kosovar nuk ka shkuar më të bëhet pjesë e këtyre luftërave.

Nga ana tjetër, gjenerali Curtis Scaparrotti e siguroi Presidentin Thaçi se stabiliteti i Kosovës dhe pjesës tjetër të Ballkanit mbetet prioritet i lartë i NATO-s.

“Jemi këtu në Kosovë që t’ju mbështesim për atë që keni bërë deri më tani si institucione të Kosovës. Ky është gjithashtu qëndrim NATO-s dhe i ministrave të brendshëm e të jashtëm. I mbështesim përpjekjet tuaja për normalizim të marrëdhënieve me Serbisë, për zhvillim ekonomik dhe do ta vazhdojmë edhe mbështetjen për FSK-në”, tha gjenerali Scaparrotti.

Presidenti Hashim Thaçi i rikonfirmoi gjeneralit Curtis Scaparrotti se KFOR-i gëzon një respekt, besim dhe mbështetje nga të gjithë në Kosovë, pa dallim etnie apo përkatësie fetare.

Top Channel