Shtohen masat në Aeroportin e Rinasit, pezullohen fluturimet drejt Stambollit

29/06/2016 00:00

Pas sulmit terrorist në aeroportin e Stambollit, Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri të përforcuar.

Prej mbrëmjes së të martës në aeroportin “Nënë Tereza” janë shtuar masat e sigurisë, të cilat do të vijojnë për një periudhë të papërcaktuar.

Po ashtu të gjithë udhëtimet drejt Stambollit janë anuluar, ndërsa një numër i madh qytetarësh janë detyruar të kthehen pas, për shkak se ky aeroport përdoret shumë si tranzit edhe për destinacione të tjera.

“Ka një rritje të shtuar të masave të sigurisë. Patrullime të shtuara me qen antieksploziv. Masat e padukshme janë ato që konsistojnë në skanderimin më të mirë të bagazheve dhe pasagjerëve. Këto masa do të vazhdojnë deri në një urdhër të dytë. Janë anuluar fluturimet në drejtim të Stambollit dhe anasjelltas”, u shpreh Ermal Milori, shef i policisë kufitare, Rinas.

Masa shtesë janë marrë edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar, veçanërisht në porte ku do të ketë një prani të shtuar të uniformave blu.

Top Channel