Një finale e parakohshme në Paris, ajo mes Italisë dhe Spanjës

27/06/2016 00:00

Vazhdon ose jo, kjo është motoja e Europianit në këto momente, pasi faza e eksperiementeve ka përfunduar. Pasditen e kësaj të hëne, në orën 18:00 në Saint Denis, Italia do të përballet me Spanjën kampione në fuqi të Europës, ndërsa fituesi i këtij çifti do të vihet më pas përballë Gjermanisë në çerekfinale.

Antonio Conte ka menduar të zbresë në fushë një formacion 3-5-2, me Florenzin në vendin e të dëmtuarit Candreva, ndërsa balotazhi i vetëm mesa duket është në krahun e majtë, mes Darmian dhe De Sciglios.

Mëngjesi i sotëm në Paris, ku edhe do të luhet ndeshja, ka filluar me rreshje të shumta ndërsa moti pritet të jetë kështu deri në orarin e takimit.

Sa u përket statistikave, Italia ka mundur Spanjën për herë të fundit në një veprimtari zyrtare në Botërorin “USA ’94”.

Këtë finale të parakohshme do të keni mundësi ta ndiqni drejtpërdrejt në Top Channel.

Ndërkohë, në orën 21:00 të mbrëmjes, Anglia do të përballet me debutuesit e Islandës. Kjo do të jetë përballja e tretë mes këtyre dy përfaqësueseve. Anglia nuk ka asnjë humbje në këto sfida, pasi 1-1 ka përfunduar ndeshja e parë mes tyre në vitin 1982, kurse ndeshjen e dytë të zhvilluar në qershor të vitit 2004 “Tre luanët” e kanë fituar 6-1.

Gjithashtu vlen për t’u përmendur se Anglia nuk ka asnjë humbje në 10 ndeshjet e fundit të luajtura në kampionatet europiane. Disfata e fundit është ajo me Francën, më 13 qershor të vitit 2004.

Top Channel