Kush është më i guximshmi, le ta provojë! Pjesëtarë të stafit, por edhe vullnetarë kanë qenë ata, që kanë testuar sigurinë e urës prej xhami në Kinë, përpara se ajo të hapej për publikun.

Struktura e qelqtë qëndron 300 metra mbi kanionin “Zhangjiajie Grand” në parkun kombëtar me të njëjtin emër të provincës së Hunanit. Prova që bënë ata ishte goditja e disa prej paneleve të xhamit me çekiçë.

“Trashësia e xhamit në total është 5 centimetra. Ne përdorim ngjitjen ndërmjet secilit panel për ta forcuar sa më shumë zonën mes tyre. Arsyeja e testimit është që të mos ketë më vend për dyshime dhe turistët të shijojnë pa droje eksperiencën e rrallë që kjo strukturë ofron”, tha Ma Liang, kryeinxhinjer.

Rreth 20 vullnetarë dhe pjesëtarë të stafit u dërguan në urën 430 metra të gjatë për të verifikuar qëndrueshmërinë. Pas kësaj, një makinë “SUV” 15 tonëshe kaloi mbi urë për të dëshmuar kështu edhe njëherë forcën e saj.

Edhe pse aty ku u godit me çekiç xhami u kris, ai nuk u thye plotësisht, e vullnetarët u ftuan të ecnin mbi panelet e dëmtuara për të parë se, edhe ashtu ishin mjaft rezistente. Ura është projektuar nga izraeliti Haim Dotan, i cili ishte dhe arktitekti i Pavionit izraelit në “Expo 2010” të Shanghait. Kostoja e saj llogaritet diku te 39 milionë dollarët.

Top Channel