SMS pas vdekjes, i kërkuan për shërbimin e ofruar në spital

23/06/2016 00:00

Vdiq nga sëmundjet në spitalet shqiptare, por një grua e moshuar ka marrë pas vdekjes një mesazh nga Ministria e Shëndetësisë ku është pyetur për cilësinë e shërbimeve që ju afruan.

Familjarët shprehin irritimin, por Ministria thotë se kjo është një procedurë standarde.

“Kur më erdhi ky mesazh, ngela pak i habitur. Nëna ime ka 2 muaj e pak që ka ndërruar jetë dhe përjetohet keq. Kur plaga ka nisur të zërë cipë, mos e ngit!”, thotë Feliks Bilani, djali i të ndjerës që i është dërguar mesazh pas vdekjes.

Në Ministrinë e Shëndetësisë sqarojnë se në periudhën 7 shkurt  deri më 21 prill është bërë një fushatë duke kërkuar nëpëmjet SMS-ve  përshtypje të pacientëve për shërbimin që ofrohet në spitalet e QSUT me qëllim përmirësimin e tij.

Sipas Drejtorit së Kontrollit të Cilësisë, u zgjodh grumbullimi i Feedback -ut me SMS, pasi  pacientët apo të afërmit e tyre me intervista të drejpërdrejta druanin të flisnin hapur sesi u ishte shërbyer. Këto SMS administrohen nga Qendra Kombëtare që monitorin cilësinë e shërbimeve publike në vend.

“Janë administruar rreth 4 mijë numra qytetarësh që kishin marrë shërbime në QSUT, nga Qendra Kombëtare që monitoron cilësinë e shërbimeve publike në përgjithësi, jo vetëm në shëndetësi. Meqënëse ky sistem është në fazë në zhvillim ndodhin që mesazhet dërgohen me vonesë. Shpreh ngushëllimet dhe kërkoj mirëkuptim qytetarëve për këtë proces që është në zhvillim dhe përmirësim”, thotë Tomi Thomo, drejtor i Kontrollit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor.

Rasti i Bilanit nuk është i vetëm, por ka pasur edhe të tjerë të cilët kanë marrë këtë SMS pasi i afërmi i tyre ka humbur jetën.

Top Channel