Gjermania i ”lutet” britanikëve. Mediat: Mos na lini kështu

23/06/2016 00:00

Shtypi gjerman është në masën më të madh “pro” qëndrimit në BE, e këtë e treguan qartë titujt e gazetave sot, në ditën kur miliona britanikë i drejtohen qendrave të votimit për referendumin historik, i treti i këtij lloji në vend.

“Mos na lini kështu”, shkruante në faqe të parë “Berliner Zeitung”. “Është brenda apo jashtë”, ishte titulli i madh i “Frankurter Allgemeine Zeitung”, i shoqëruar me foton e golit të shumëdiskutuar të Anglisë në 1966-ën, që u shpall i pavlefshëm në finalen e saj të Kupës së Botës kundër Gjermanisë.

Gazeta më e shitur në vend, “Bild”, i bëri dhe ajo jehonë kampionatit të atëhershëm me një fotografi të tij shoqëruar nga komenti: “do ta njohim golin e Uemblit, si pjesë e listës së gjërave që gjermanët do të bëjnë nëse Mbretëria e Bashkuar zgjedh të qëndrojë në BE, ku përfshihet gjithashtu dhe zotimi: “të dashur britanike, nëse qëndroni, ne nuk do të tallemi më me veshët e Princit Charles”.

E teksa Britania voton, Kina thotë se dëshiron të shohë një bllok europian të fortë e të qëndrueshëm, dhe ecurinë e referendumit, po e ndjek nga afër.

Si gjithmonë, Pekini tregohet i kujdesshëm të mos e deklarojë preferencën e tij duke qenë se votën e sheh si çështje të brendshme. Por burime diplomatike i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” se mbështetja e tij është për kampin “pro” qëndrimit.

“Kina i kushton një rëndësi të madhe marrëdhënieve me Mbretërinë e Bashkuar. Ne e respektojmë zgjedhjen e popullit britanik. Dua të kujtoj se në mënyrë të vazhdueshme e kemi mbështetur procesin e integrimit europian dhe do të donim të shihnim një BE të stabilizuar që luan një rol madhor në çështjet ndërkombëtare”, u shpreh Hua Chunying, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme kineze.

Në pjese te tjera të Azisë po bëhen plane dhe llogari lidhur me rrezikun e një daljeje të mundshme, ndërsa njerëzit në rrugët e Parisit thonë dhe ata se Anglia duhet padyshim të qëndrojë.

Top Channel