Juncker viziton Greqinë, BE-ja zbllokon këstin prej 7.6 mld eurosh

21/06/2016 00:00

Greqia ka marrë më shumë se 7 miliardë euro nga ndihma e shpëtimit të ofruar prej huadhënësve ndërkombëtarë, pas rishikimit të progresit të vendit në implementimin e reformave të kërkuara.

Shuma është ofruar teksa presidenti i Komisionit Europian ka vizituar Athinën thuajse një vit pas ngërçit masiv mes palëve, që çoi deri në ndërprerjen e menjëhershme të ndihmave të emergjencës, ndërsa votuesit grekë iu drejtuan një referendumi nëpërmjet të cilit refuzuan kushtet e shpëtimit nga BE-ja.

Vizita e presidentit të Komisionit Europian në Greqi koinçidon me dhënien e 7.5 miliardë eurove nga këstet e ndihmës financiare. Megjithatë, pavarësisht lavdërimit për progresin e bërë me reformat strukturore, prania e Junckerit në Athinë shërbeu gjithashtu edhe si kujtesë se, përpjekjet për të rikthyer në drejtimin e duhur ekonominë e copëtuar të vendit helen nuk duhen ndalur asnjëherë.

Shumica e këtij kësti shpëtimi do të përdoret për të paguar borxhin ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Qendrore Europiane, ndërsa pjesa e mbetur do të shfrytëzohet për të paguar borxhet shtetërore.

Huadhënësi i tretë më i madh i Greqisë, ai që quhet “Mekanizmi Europian i Stabilitetit” do të vijojë të japë hua për Athinë me kushte më favorizuese për helenët.

Jean-Claude Juncker, i cili u takua me kryeministrin Alexis Tsipras, tha se vendi ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt daljes nga kriza. Ai përmendi reformat në pensione, në sistemin e taksave, si dhe nisjen e një programi masiv privatizimesh.

“Erdha këtu të jap një mesazh shprese, të paktën kështu besoj unë, që Greqia e ka kaluar tashmë pengesën kryesore, ndërsa do t’i duhet vetëm të ndjekë rrugën e duhur. Përgjatë kësaj rruge, kushdo në Komisionin Europian do të jetë përkrah Greqisë”, tha presidenti i KE-së për reporterët.

Tsipras, i cili dikur udhëhoqi protestat kundër masave të shtrëngimit, tashmë së bashku me qeverinë e tij të udhëhequr nga Syriza, është objektivi i radhës i irritimit mbarëpopullor, teksa fajësohet për nënshtrimin ndaj huadhënësve ndërkombëtarë në këmbim të fondeve të shpëtimit.

Top Channel