Turistët çekë janë vizitorët më të shumtë të alpeve shqiptare. Pavarësisht rasteve të aksidenteve apo ngjarjes tragjike të vrasjes së dy turistëve një vit më parë, që shkaktoi një zemëratë të madhe publike, ministrja çeke e Zhvillimit Rajonal thotë se çekët mbeten besnikë të natyrës shqiptare, por nuk harron.

Karla Slechtova, ministre e Zhvillimit Rajonal të Çekisë, tha: “Republika Çeke nuk ka det, nuk kemi as alpe. Nga ajo që pashë nga avioni, është një vend shumë i bukur. Pra keni çfarë të ofroni. Por në të njëjtën kohë, turistët çekë, të gjithë turistët e huaj, kërkojnë të kenë siguri në male. Prandaj, po ndihmojmë me projektin e shpëtimit në male”.

Në vitin 2015 vendi ynë u vizitua nga 15.700 turistë çekë. Ky numër pritet të rritet në 2016-n.

Milva Ekonomi, ministre e Zhvillimit Ekonomik, u shpreh: “Ndryshe nga vitet e tjera, kur ne kishim një “charter“, duke nisur nga dje fluturimet do të jenë me dy “charter“-a në javë, duke u nisur nga Çekia, deri në shtator“.

Republika Çeke do të ndihmojë Shqipërinë me ekspertizën e saj edhe në sektorin e planifikimit dhe strehimit.

Top Channel