Diferencimi i mbetjeve, Veliaj: Jo më në kazanë

16/06/2016 00:00

Landifilli i Sharrës ka tanimë një impiant të dytë për diferencimin e mbetjeve urbane më parë se të depozitohen për përpunim.

“Që të arrijmë këto dy misione, pra që të kemi një qytet të pastër, por edhe një landfill e menaxhim modern të mbetjeve, na duhet pak bashkëpunim. Duke nisur nga kjo verë, nuk do të lejojmë që çdo vendgrumbullimi mbetjesh apo çdo konteiner mbeturinash të kthehet në pikë riciklimi. Ajo që na ndodh shpesh është që, pasi është pastruar qyteti, pasi janë zbrazur koshat, ato derdhen sërish në rrugë duke shkaktuar infeksione, e ndonjëherë edhe digjen duke sjellë rrezik për qytetar”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për diferencimin e mbetjeve që në momentin kur i hedhin në kosh. Ai paralajmëroi masa ligjore ndaj çdokujt që grumbullon mall që merret nga koshat e mbeturinave, pasi ato janë pronë e bashkisë.

“U bëj thirrje atyre që grumbullojnë mallin që merret nga koshat e mbeturinave të Tiranës, se do të ketë penalizime sipas ligjit. Do të përdorim çdo mjet të ligjit për të ndaluar këtë shfrytëzim të njeriut nga njeriu. Ata nuk i ndihmojnë ata që rrëmojnë nëpër plehra, përkundrazi po i shfrytëzojnë në kushte skandaloze, pa sigurime shoqërore. Kjo nuk është një ofertë punësimi, kjo është një ofertë shfrytëzimi dhe skllavërie. Ofertë punësimi është kjo e Bashkisë së Tiranës, ku vihet dhe punohet me uniformë, sipas të gjitha standardeve”, “Zgjidhja është kjo që shihni pas krahëve të mi: punësim me sigurime shoqërore, punësim me të gjitha kushtet e sigurisë dhe shëndetit në punë, ku i gjithë riciklimi bëhet këtu”, u shpreh Veliaj.

Me krijimin e impiantit të parë për diferencimin e mbetjeve në Sharrë, u arrit të punësoheshin nga bashkia mbi 200 veta, kryesisht të komunitetit rom. Me krijimin e impiantit të dytë të diferencimit të mbetjeve në Sharrë, bashkia krijon mundësi punësimi t, të gjithë personave të interesuar.

Top Channel