Zenga: Ndaj Francës pres një Shqipëri të fortë

15/06/2016 00:00

Ish-portieri legjendar italian, Walter Zenga, analizoi pak ndeshjen e parë të kombëtares sonë në Europian, atë ndaj Zvicrës, duke thënë se kuqezinjtë luajtën mirë, ndërsa një gjë të tillë pret edhe në sfidën ndaj Francës.

“Ndeshja e parë me Zvicrën ishte penalizuar në 20 minutat e para ku erdhi dhe goli. Kjo ndikoi më pas në mbarëvajtjen e takimit, por pastaj Shqipëria luajti mirë edhe me një lojtar më pak. Dalja e Canës ishte e vështirë për t’u pranuar nga pjesa tjetër e skuadrës sepse kartoni i parë erdhi në një faull në mesfushë. Kishin shumë raste për të barazuar ndeshjen. Të mërkurën jam i sigurt ata do të bëjnë një ndeshje të mirë”, u shpreh ai.

Legjenda italiane foli edhe për Etrit Berishën, i cili bëri një dalje të pamenduar në rastin e golit të zviceranëve. Zenga këmbëngul se gardiani kuqezi është një portier i mirë.

“Berisha është një portier i mirë, një gabim mund të qëllojë për një portier. Në fund kujtohet gabimi dhe jo gjërat e mira që bëhen në një takim. Ai gjithsesi është një portier i mirë”, vijoi italiani.

Nuk mund të mungonte një vlerësim edhe për punën e dy patriotëve të tij, De Biasi e Tramezzani, në stolin e kombëtares shqiptare.

“Fola më parë me De Biasin dhe Tramezzanin jam shumë i lumtur për ta, kanë bërë një gjë të madhe, jam krenar për ta dhe i lumtur që i shoh në fushë. Shqipëria duhet të bëjë atë që ka bërë deri më tani, është në rrugë të mbarë”, e mbylli Zenga.

Top Channel