Portugali-Islandë, Quaresma në dyshim

14/06/2016 00:00

Portugalia është në përgatitjet e fundit për ndeshjen me Islandën që do të luhet sot në mbrëmje.

Shqetësimi më i madh për “luzitanët” së fundmi ka qenë gjendja e Quaresma, i cili nuk u stërvit me skuadrën për shkak të një dëmtimi muskulor. Por, Fernando Santos nuk e ka përjashtuar mundësinë që ai të aktivizohet në këtë sfidë

“Quaresma do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen me Islandën”, tha Santos. “Nuk e kam marrë ende vendimin nëse ai do të luajë apo jo”.

Nëse Quaresma nuk ia del dot të bëhet gati, në vendin e tij do të luajë Nani. Por  në këtë ndeshje e gjithë vëmendja do të përqendrohet te ylli i Portugalisë Cristiano Ronaldo, që vjen në këtë eveniment si kampion Europe pas fitores së Ligës së Kampioneve me Realin e Madridit.

“Ronaldo është një futbollist i madh”, vijoi Santos. “Ai është shumë i motivuar, pavarësisht suksesit në Ligën e Kampioneve,pasi të gjithë ne kemi shumë ambicie në këtë evropian”.

Portugalia, gjysmëfinaliste në Euro 2012, shihet si favorite për të fituar këtë ndeshje ndaj Islandës, për të cilën kjo është hera e parë që merr pjesë në fazën finale të një Europiani.

Top Channel