Frika nga “Brexit”, britanikja merr nënshtetësi franceze

13/06/2016 00:00

Mes qytetarëve nga Algjeria, Meksika e Turqia, që morën më në fund nënshtetësinë e shumëdëshiruar franceze gjatë një ceremonie në Paris, ishte edhe një britanike: Colette Taylor-Jones.

Colette, me prindër nga Mbretëria e Bashkuar, është rritur në Nisë e thotë se nuk është ndierë kurrë plotësisht franceze apo britanike. Megjithatë, arsyeja që e shtyu të kërkojë pasaportën franceze ishte frika e një “Brexit”-i.

Me rregullat e BE-së, dokumentet e saj i kanë garantuar gjithmonë të njëjtat të drejta për të jetuar e punuar në France, si fqinjët e vet francezë, por kur doli në dritë ideja e një referendumi mbi shkëputjen e Anglisë nga blloku europian, vendosi të plotësonte formularin e nënshtetësisë franceze.

“Vendosa ta ndryshoj nënshtetësinë kur filloi e gjithë kjo historia e ‘Brexit’-it. Isha e shqetësuar për atë që këtu e quajnë ‘Titre de sejour’, apo lejeqëndrimi, pa të cilën nuk do të isha në gjendje të qëndroja në vendin ku kam kaluar të gjithë jetën time. Arsyeja përse vendosa të bëhem franceze është se ndihem e lidhur më shumë me Europën sesa me Britaninë”, tha Colette Taylor-Jones, përfituese e nënshtetësisë franceze.

Taylor-Jones nuk është e vetmja britanike që jeton jashtë kufijve dhe e sheh me ankth rezultatin e votimit të 23 qershorit, i cili sipas sondazheve paraprake do të jetë tepër i ngushtë. Jack McNeill dhe Jonathan Wright janë dy miq të ngushtë anglezë, të cilët jetojnë në Paris prej 6 vitesh dhe tani kanë vendosur të aplikojnë për nënshtetësinë franceze gjithashtu.

Top Channel