Partia Demokratike, në mbështetje të banorëve të Krutjes

13/06/2016 12:05

Qindra banorë të njësisë vendore Krutje, në Bashkinë e Lushnjës protestuan për mungesën e shërbimeve dhe rënien drastike të mirëqenies së tyre.

Ky komunitet prej 3500 banorësh denoncoi edhe faktin se nuk ka rrugë, kanalizime dhe grumbullim të rregullt të mbetjeve urbane.

Ata deklaruan se ekonomia e tyre ka rënë pasi krahas mungesës së infrastrukturës vuajnë edhe çmimin e ulët me të cilin shesin produktet bujqësore që prodhojnë.

Kreu i Partisë Demokratike të Lushnjës, Myslym Murrizi mbështeti protestën e banorëve të Krutjes, duke i cilësuar kërkesat e tyre si legjitime.

“Jemi këtu në mbështetje të protestës së qytetarëve të Krutjes për problemin e parë emergjent të tyre, rrugën Krutje-Lifaj. Jetojnë 3.500 banorë në këtë njësi dhe kjo rrugë është premtuar disa herë nga pushtetarët lokalë. Ky komunitet i mrekullueshëm kërkon shërbim për pagimin e taksave. Ata kanë edhe problem të tjera siç është edhe subvencionimi i bujqësisë. Sot në opozitë dhe nesër në pushtet do të jemi në të drejtën e qytetarëve për shërbimet e tyre”, tha Murrizi.

Top Channel