Veliaj: Pas këndit të lojrave, pistë për vrapim dhe çiklistët

12/06/2016 00:00

Sipas Ministrisë së Arsimit, 57% e fëmijëve janë obezë dhë mbipeshë, çka sjell domosdoshmërinë e nxitjes së një jete aktive. Për këtë, Bashkia Tiranë dhe Federata Shqiptare e Volejbollit kanë zhvilluar festivalin e “mini-volley” për fëmijë në ambientet e “Tirana Fan Zone”, në sheshin “Nënë Tereza”, ku pjesëmarrës ishte edhe Presidenti i Federatës Evropiane të Volejbollit, Aleksandër Boriçiç.

“Kemi disa fusha volejbolli dhe futbolli. Duam që entuziazmi i krijuar nga Evropiani, të përkthehet në aksion konkret për qytetin e Tiranës. Duhet të bëjmë dy investime: në infrastrukturë dhe në kulturë. E sotmja është investim në kulturë”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Përveç investimeve në infrastrukturën sportive, Veliaj lajmëroi edhe rindërtimin e pallatit të sportit “Asllan Rusi”, si nisjen e një tjetër projekti në parkun e liqenit: ndërtimin e pistës së vrapimit dhe çiklizmit.

“Brenda këtij viti do të kemi një projekt për pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Do të ribëhet nga e para. Pas suksesit të këndit të lodrave, që është projektuar me lodra të karakterit fizik për fëmijët, do të përfundojmë të gjithë pistën e vrapimit dhe atë të çiklizmit”, shtoi Veliaj.

Zhvillimi i hapësirave komunitare dhe zgjerimi i atyre pedonale, sipas Veliajt, është një ndër qëllimet kryesore të Bashkisë Tiranë. Duke i lënë gjithë verën sheshit pedonal të “Nënë Terezës” si dhe duke filluar së shpejti shndërrimin në pedonal edhe të sheshit “Skënderbej”.

Top Channel