Kosovë, qytetarët e Mitrovicës: “Lugina e diellit”, tendencë për ndarjen e vendit

12/06/2016 00:00

Ndërtimi i një kolonie të re nga Serbia për kolonistë serbë në veri të Kosovës, është ndryshim i gjeografisë etnike dhe tendencë për një ndarje territoriale të Kosovës në të ardhmen.

Kështu mendojnë kryesisht qytetarët shqiptarë dhe ata jo serbë nga të dyja pjesët e qytetit të Mitrovicës, sa i përket ndërtimit të lagjes ‘Lugina e diellit’, që ka filluar ditë më parë në veri të vendit, dhe që parasheh 300 shtëpi me rreth 1500 banorë.

Bujar Voca, qytetar, thotë për “KosovaPress” se Serbia planifikon të mbushë veriun e Kosovës me serbë që është një hap drejtë planifikimit të ndarjes së Kosovës. Sipas tij, me ndërtimin e lagjes ‘Lugina e diellit’ dhe kolonizimin e asaj pjese me serbë, po aplikohen standarde të dyfishta dhe të padrejta, ngase shqiptarët nuk po lejohen të kthehen në pronat e tyre në veri. Ai theksoi se Kosovës i duhet një qeveri tjetër e cila largon Serbinë nga Kosova dhe vendosë rend e ligj në tërë territorin e saj.

“Serbia planifikon të mbushë ver iun e Kosovës me serbë që është hapi i radhës së Serbisë drejtë planifikimit të ndarjes së Kosovës. Janë standarde të dyfishta dhe të padrejta. Shqiptarët nuk kanë të drejtë të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre që është e drejtë humanitare, ndërsa, Serbia ka të drejtë që në një territor tjetër dhe të huaj të ndërtojë banesa dhe shtëpi, si dhe të vendosë serbë të cilët nuk kanë banuar kurrë aty. Unë nuk besoj që kjo qeveri e udhëhequr nga Isa Mustafa ka vullnet politik dhe guxim të ballafaqohet me Serbinë në veri. Mendoj se Kosovës i duhet një qeveri tjetër, e cila e integron veriun, i shpërbën strukturat paralele, i kthen shqiptarët në pronat e tyre, e largon Serbinë nga Kosova dhe vendosë rend e ligj në tërë territorin e Kosovës”, ka thënë Voca.

Ai ka bërë të ditur se me ndërtimin e kësaj lagje dhe lagjeve tjera në veri që Serbia ka në plan, po ndryshohet tërësisht struktura etnike e popul lsisë, ngase siç u shpreh ai, para luftës në veri të Mitrovicës më shumë se 70 përqind të popullsisë e kanë përbërë shqiptarët, të cilët aktualisht janë pakicë në atë pjesë.

Amra Pandiq, studente e nacionalitetit boshnjak nga veriu i Mitrovicës, ka fajësuar shtetin e Kosovës për gjendjen aktuale në veri. Ajo tha se Serbia është duke punuar jashtëzakonisht shumë për qytetarët e saj në atë pjesë, derisa zgjidhjen e të gjitha problemeve atje e sheh vetëm me ndryshimin e njerëzve në pushtet.

“E kemi një problem shumë të madh. Serbia tani po ndërton shtëpitë në pjesën veriore, përkatësisht në Zveçan, ndërsa ne kur kemi filluar projektin për kthimin e qytetarëve për të jetuar në veri, projekti është bllokuar. Ata punojnë me i kthy njerëzit, ndërsa ne jo. S’mundesh me ruajt tokën pa njerëz dhe jetë atje. Serbia po punon prefekt për serbët, por ne si Kosovë që jemi kosovarë, pa marrë parasysh shqiptarë, boshnjakë, serbë, ne nuk punojmë. Me ju thënë të vërtetën duhet krejt të ndryshojë, ndoshta me ardhë në pushtet Vetëvendosja ose dikush tjetër, veç me i largu të njëjtit, sepse jemi lodhë nga ta”, potencoi ajo.

Ndërkaq, Adriana Hoxhiç, drejtoreshë e Administratës në komunën e veriut të Mitrovicës, tha se nuk është e njoftuar për rrjedhën e procedurave të ndërtimit të këtyre shtëpive, ngase ato po ndërtohen në komunën e Zveçanit dhe jo të veriut të Mitrovicës, ku punon ajo. Ajo është shprehur skeptike rreth qëndrueshmërisë së këtij projekti, për shkak se kanë kaluar shumë vite dhe megjithatë qytetarët që do të kthehen, posaçërisht fëmijët, e kanë të vështirë ambientimin në një rreth të ri.

“Sa i përket këtij projekti konkret, unë nuk kam ndonjë mendim, sepse ndodhë në ko munën e Zveçanit dhe jo në territorin e komunës ku punoj unë, dhe nuk e di se si kanë shkuar proceset sa i përket lejeve të ndërtimit. Unë sa e kuptova flitet për qytetarët serbë të cilët kanë jetuar në Kosovë dikur. Unë frikohem se procesi i kthimit sa do të jetë i qëndrueshëm. Kanë kaluar shumë vite, për 16 vite ju krijoni një ambient jetësor diku tjetër. Është e lehtë për prindërit, por shumë e vështirë për fëmijët e tyre të cilët tani veç kanë krijuar një ambient jetësor diku tjetër në qytete tjera. Në ngjarjen e vënies së gurthemelit, atë ditë kanë marrë pjesë pjesëtarë të Qeverisë së Kosovës dhe nuk e di se si do të ndërpriten punimet në komunën e Zveçanit. Rruga më e mirë është të gjendet mënyra që me legalizu atë ndërtim në kuadër të ligjeve të Kosovës”, ka thënë Hoxhiç.

Në anën tjetër, në lidhje me ndërtimin e lagjes ‘Lugina e diellit’, në veri të Kosovës kanë re aguar edhe institucionet qendrore të vendit. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor duke e quajtur të jashtëligjshëm ndërtimin, ka bërë të ditur se fillimi i ndërtimit të kësaj lagjeje nuk mund të bëhet pa leje ndërtimore të lëshuara nga organet komunale në bazë të Planit Zhvillimor Komunal dhe Hartës Zonale Komunale.

“Çdo aktivitet ndërtimor i filluar në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi nga ana e Komunës së Zveçanit në këtë rast, do të konsiderohet i jashtëligjshëm. MMPH mbështet kthimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës në vatrat e tyre, por është e vendosur që kjo të bëhet në bazë të legjislacionit në fuqi”, thuhet mes të tjerash në këtë komunikatë.

Top Channel