Sot Angli-Rusi, “tre luanët” do kërkojnë fitoren

11/06/2016 00:00

Anglia do të nisë Europianin e Francës me ndeshjen ndaj Rusisë, ku “tre luanët” do të kërkojnë që këtë vit t’i japin fund thatësirës 50-vjeçare të trofeve.

Tashmë Roi Hoddgson ka në dispozicionin e tij një brez të ri futbollistësh që mund ta kthejnë Anglinë te trofetë madhorë në kontinent si dhe në botë.

Rooney është futbollisti nga i cili të gjithë në Angli kanë hedhur sytë.  Kapiteni që ka një bilanc me 111 ndeshje e 52 gola me kombëtaren, vuri në dukje rëndësinë që ka ndeshja e parë.

“E dimë shumë mirë sesa vlera ka sfida e parë”, tha Rooney. “Përpara 2 vitesh na kushtoi shumë. Është shumë e rëndësishme të bësh një start të mirë. Kemi folur për këtë dhe të gjithë futbollistët janë gati”.

Ndërsa, trajneri Hodgson nuk ngurroi të tregojë respektin e tij për Rusinë dhe trajnerin Slutski.

“Jemi të ndërgjegjshëm se Rusia është një skuadër shumë e mirë”, tha Hodgson. “E dimë shumë mirë se ajo ka lojtarë cilësore dhe me eksperiencë dhe jemi përgatitur për këtë. E kemi studiuar këtë skuadër dhe jam i sigurt se edhe Slutski e ka bërë këtë me ne”.

Top Channel