Euro 2016, Franca mposht 2-1 Rumaninë në ndeshjen hapëse

10/06/2016 00:00

“Gjelat” e Deschamps e kanë nisur ashtu siç pritej, duke triumfuar me rezultatin 2-1 ndaj Rumanisë në ndeshjen hapëse të Europianit të organizuar pikërisht në Francë, edhe pse ndeshja nuk ishte edhe aq e lehtë në fushën e lojës.

Pjesa e parë nisi më mirë për rumunët, të cilët edhe pse konsideroheshin si jofavoritë në këtë përballje, arritën ta vinin në vështirësi të parët Francën e yjeve që në minutën e katërt të lojës. Stancu pati një rast të artë për të shënuar, por gjuajtja e tij nga një distancë e afërt me portën kundërshtare u bllokua nga portieri Hugo Lloris.

Megjithatë, “gjelat” e Didier Deschamps janë kundërpërgjigjur menjëherë me anë të Giroud, në minutën e 12, pas krosimit të Payet nga e majta, por sulmuesi i Arsenalit nuk arriti të mposhtte portierin rumun Tatarusanu. Vetëm dy minuta më vonë ishte finalisti i Champions League me Atleticon e Madridit, Antoine Griezmann, ai që tronditi shtyllën për francezët me një gjuajtje me kokë, por vetëm kaq.

45 minutat e para u mbyllën në barazim 0-0, ndërsa në të dytën ishte një panoramë krejt e ndryshme e sfidës, pasi gjatë saj pati plot 3 gola. Të parët ishin francezët që zhbllokuan rezultatin e takimit me anë të Olivier Giroud në minutën e 58 të takimit, pasi arriti të përfitonte nga një dalje jo e mirë e portierit rumun për të devijuar topin me kokë në katërkëndësh.

Rumania nuk u dorëzua kaq shpejt dhe në minutën e 64-t fiton një 11-metërsh, që do të ekzekutohej dhe do të shndërrohej në gol nga sulmuesi Stancu.

Megjithatë, zëvendësimet e 45-minutëshit të dytë rezultuan më efikase për Deschamps përballë rivalit të tij Iordanescu. Aktivizimi i Coman në vend të Griezmann dhe Martial në vend të Pogba i dhanë më shumë gjallëri sulmit francez, që e gjetën golin vetëm një minutë nga fundi i takimit me një supergol të shënuar nga Dimitri Payet. Sulmuesi mori një top nga jashtë zonës së rreptësisë dhe, pasi e kontrolloi mirë atë, lëshoi një të majtë “vrastare” duke e dërguar topin në trekëndëshin e djathtë të portës së mbrojtur nga Tatarusanu.

Mbrojtja më e mirë është sulmi, Rumania e provoi këtë gjë, por sërish nuk ia doli dot përpara superyjeve të Francës që ngjiten kështu vendin e parë në grupit A me 3 pikë, në pritje të takimit të dytë në grup që do të zhvillohet ditën e shtunë, asaj mes Shqipërisë dhe Zvicrës.

FOTO GALERI
1/13

Top Channel