Clinton e quan kthesë historike nominimin e saj, por Sanders…

08/06/2016 00:00

Hillary Clinton falënderoi mbështetësit e saj për ndihmën e dhënë në atë që ish-Zonja e Parë e konsideron si kthesë historike për gratë: nominimin demokrat në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

“Ju faleminderit të gjithëve, së bashku arritëm të shënojmë një moment historik. Kjo është e para herë që në këtë vend, një grua kthehet në të emëruarën e një partie kryesore për Shtëpinë e Bardhë”, tha Clinton.

Clinton triumfoi në New Jersey, duke çimentuar pozitat e saj. Tashmë me një vrull të pakthyeshëm, Hillary rrëmbeu edhe votat e Dakotës së Jugut dhe New Mexicos, ndërsa Bernie Sanders mori ato të Montanës e Dakotës së Veriut.

Senatori i Vermontit këmbëngul ta vazhdojë fushatën e tij, e simpatizantëve në Santa Monica të Kalifornisë iu tha se, betejën e nominimit do ta çojë deri në konventë.

Zyrtarisht, emërimin si kandidate demokrate Clinton do ta marrë vetëm në Kuvendin e partisë në muajin e ardhshëm në Filadelfia, edhe pse ka siguruar shumicën e 2.383 delegatëve të nevojshëm për të mposhtur Sandersin.

Zëdhënësi i këtij të fundit, Michael Briggs doli me një deklaratë, ku thuhet se ish-Sekretarja e Shtetit mund ta pretendojë shumicën falë qindra të ashtuquajturve superdelegatë, të cilët ia kanë dhënë aktualisht mbështetjen e tyre, por janë për çdo rast të lirë të ndryshojnë mendim përpara kuvendit.

Top Channel