Pas Francës, edhe Anglia jep alarmin: ISIS synon Europianin

07/06/2016 00:00

“Foreign Office”, apo Ministria e Jashtme britanike, ka dalë me paralajmërimin se stadiumet, baret dhe zonat e tifozëve që do të ndjekin ndeshjet e “Euro 2016” mund të jenë që të gjitha shënjestra të sulmeve terroriste.

Adhuruesit e futbollit janë këshilluar të tregohen vigjilentë gjatë ngjarjes së madhe sportive në Francën e vënë në gjendje alarmi, pas njoftimeve paraprake të INTERPOL-it mbi “kërcënimin madhor” të një sulmi të militantëve të dhunshëm të Shtetit Islamik.

Pas Ministrisë së Jashtme britanike, edhe “Scotland Yard” bëri me dije se e ka parë propagandën e ISIS-it e janë diktuar edhe biseda për komplote gjatë kampionatit, ndaj dhe niveli i kërcënimit është sipas krerëve të policisë mjaft i lartë.

Paralajmërimet britanike vijnë një ditë pas arrestimit të një të riu francez nën dyshimin se po planifikonte 15 sulme gjatë së njëjtës shfaqje. 25-vjeçarit të ndaluar në kufirin e Ukrainës me Poloninë iu gjet me vete një arsenal i madh armësh, ku përfshiheshin edhe 125 kg tritol e një sasi e ndjeshme municionesh.

Shefi i policisë së Parisit, Michel Cadot deklaroi një ditë më parë se, Franca është gati për ndeshjet e “Euro 2016”-s. Vendi aktivizon 90 mijë forca sigurie për këtë ngjarje të rëndësishme sportive. Presidenti francez, François Hollande tha të dielën në mbrëmje se, kërcënimi i sulmeve nuk do ta pengojë kampionatin të zhvillohet me sukses.

Top Channel