Franca mirëpret kuqezinjtë. Në rrugët e Perros Guirec, parulla mirëseardhjeje

06/06/2016 13:35

Kombëtarja shqiptare u ul mesditën e të hënës në aeroportin e qytetit Lannion, vendi ku për rreth 2 javë do të jetë dhe qendra kuqezi në Francë 2016. Ka qenë Ambasadori i Shqipërisë në Francë, Dritan Tola, disa përfaqësues nga UEFA, prefektja e komunës së Lannion-it ata që i uruan të parët mirëseardhjen kombëtares shqiptare.

Më pas futbollistët u drejtuan për nga autobusi i cili do të transportojë ekipin në çdo seancë stërvitore apo edhe në ndeshjet e këtij evenimenti të rëndësishëm.

Rrugët e qytetit kanë qenë të gjitha të veshura me ngjyrat kuqezi për t’i uruar mirëseardhjen ekipit, ndërkohë që dhe bizneset kanë afishuar oferta në gjuhën shqipe.

“Mirësevjen ekipi shqiptar”, tha një vendas, ndërsa një tjetër i uroi kombëtares sonë mirëseardhje, por në sfidën në “Velodrome” do të jetë tifoze me “gjelat”. “Mirësevjen Shqipëri dhe paç fat! Sa për ndeshjen me Francën, unë jam me Francën”, tha ajo.

FOTO GALERI
1/15

Top Channel