Varshavë, nis stërvitja më masive e NATO-s, “Anaconda 16”

06/06/2016 00:00

Aleanca atlantiko-veriore NATO ka nisur stërvitjet më masive ndonjëherë në historinë e saj, këtë herë në Poloni, në një situatë kur vendet e Europës Qendrore dhe Lindore janë duke kërkuar më shumë garanci për sigurinë, pas shqetësimeve mbi veprimet këmbëngulëse dhe irrituese të Rusisë.

Stërvitja e quajtur “Anaconda 16” nisi këtë të hënë në Varshavë dhe pritet të përfshijë rreth 31 mijë trupa ushtarake nga Polonia, Shtetet e Bashkuara dhe 17 vendet e tjera anëtare të NATO-s, përfshi këtu edhe Shqipërinë, por edhe nga 5 kombe partnere.

Stërvitja masive po zhvillohet vetëm pak javë përpara samitit deciziv të NATO-s që do të mbahet gjithashtu në Varshavë, e ku pritet të vendoset mbi vendosjen e një numri të konsiderueshëm të trupave të NATO-s, por edhe mjeteve të rënda, në bazat e saj në Poloni dhe shtetet e Baltikut.

Janë pikërisht këto, shtetet më të shqetësuara pas konfliktit të armatosur në Ukrainë, ku Moska mbështet separatistët prorusë. Stërvitja do të vijojë deri më 16 qershor dhe pritet të testojë bashkëpunimin mes komandave aleate dhe ushtarëve në kundërpërgjigje të kërcënimeve ushtarake, kimike dhe kibernetike.

Top Channel