Basha me të rinjtë e FRPD: Ne jemi shpresa e vendit

04/06/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi qeverinë e majtë se ka instaluar në Shqipëri një model antikombëtar.

“Është bërë më e lehtë për vesin, për krimin, për korrupsionin, për mashtrimin; është bërë më e vështirë për të ndershmin për njeriun me integritet, për atë që beson te punë. Ky është një model poshtërimi për rininë shqiptare”, u shpreh Basha.

Por, nga Konventa Kombëtare e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, kreu i opozitës ka dashur të japë mesazhe shprese dhe optimizmi.

“Ka shpresë, ka rrugëdalje, ka zgjidhje. Rinia që është e bashkuar në këtë sallë, por edhe në salla të tjera sa vjen e shtohet sepse ne jemi dhe do të jemi shumica e padiskutueshme në zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh kreu i PD.

Zoti Basha tha se bashkë me të rinjtë Partia Demokratike do të nisë një erë të re për Shqipërinë, për ta ndarë atë nga vargonjtë e së kaluarës.

“Ndaj sot i bëj thirrje të rinjve dhe të rejave të mirëarsimuar, të përqafojnë vlerat tonë dhe së bashku të nisim modelin e përzgjedhjes së 49 kandidatëve të ardhshëm të PD për kuvendin e Shqipërisë nga rinia”, u shpreh Lulzim Basha.

Top Channel