Gjermania sfidon Turqinë, shpall zyrtarisht genocid vrasjen e armenëve

02/06/2016 00:00

Gjermania sfidoi Turqinë me aprovimin e një rezolute që e shpall genocid vrasjen masive të armenëve nga otomanët gjatë luftës së parë botërore.

Tërbimi i Ankarasë dhe paralajmërimet e saj se ky veprim mund të cenojë marrëdhëniet dy palëshe, nuk i pengoi Bundestagun të hidhte këtë hap në kohën kur Bashkimi Europian ia ka nevojën Turqisë për të frenuar fluksin e emigrantëve.

Kryeministri turk Numan Kurtulmus e cilësoi lëvizjen e ligjvënësve gjermanë si “gabim historik” e thirri ambasadorin për konsultime.

Armenia këmbëngul se në barbarizmin e 1915-s vdiqën 1 milionë e gjysmë armenë.

Turqit pretendojnë se shifra është shumë më e ulët dhe refuzojnë të pajtohen me përdorimin e termit “genocid”. Më shumë se 20 kombe, mes të cilave Franca e Rusia si dhe kreu i Kishës katolike, Papa Françesku, e njohin si të tillë mizorinë e përpara një shekulli.

Ankaraja, megjithatë, vazhdon ta mohojë ekzistencën e një fushate sistematike për shfarosjen e të krishterëve armenë si grup etnik dhe kujton gjithmonë sesi gjatë shembjes së Perandorisë Osmane, kanë humbur jetën edhe shumë civilë turq.

Kancelarja Angela Merkel nuk ishte në sallë gjatë votimit. Por, Kristian Demokratët e saj, partia e koalicionit SPD dhe të gjelbrit votuan me shumicë dërrmuese votash për miratimin e rezolutës.

Top Channel