Dita kundër duhanit, edhe Kosova me paketa të standardizuara nga viti 2017

31/05/2016 00:00

Kosova pritet të nisë së shpejti paketimet e standardizuara të duhanit. Pa logo, ngjyra e informacione promovuese dhe me një paketim njëngjyrësh, standard për të gjitha llojet, e me këtë Kosova po synon të zvogëlojë numrin e personave që pinë duhan dhe të ndërgjegjësojë qytetarët për rrezikun që shkakton ky ves, veçanërisht të rinjtë.

Paketimet, që synohet të implementohen nga viti 2017, pritet të jenë të shoqëruara me disa fotografi të cilat tregojnë pasojat që ka pirja e duhanit te të gjitha moshat. Kjo u bë e ditur të martën në Ditën Botërore Antiduhan.

Përfaqësues të Qeverisë, Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik e koalicionit antiduhan, folën për rëndësinë e aktiviteteve ndërgjegjësuese kundër përdorimit të produkteve të duhanit. Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani tha se, tashmë është përfunduar udhëzimi për paketat e standardizuara.

“Ministria është duke bërë fuqizimin e legjislacionit, me atë që është futur në zbatim kohë më parë, udhëzimin administrativ për mjediset pa tym duhani, ndërsa është përfunduar udhëzimi për pakot e standardizuara, që është edhe temë kryesore e kësaj dite. Aplikimi i pakove të standardizuara, bazuar në përvojën e shteteve që tashmë i kanë aplikuar vërejtjet me fotografi dekurajuese për duhanpirjen, është një masë për ngritjen e vetëdijes kundër duhanit dhe parandalimit të joshjes së të rinjve për duhanpirje”, tha Rrahmani.

Ndërkohë, drejtori i OBSH-së në Kosovë, Skënder Syla tha se kjo organizatë u ka rekomanduar të gjitha vendeve që të ndërmarrin masa për të ndryshuar apo hartuar, legjislacionin që do të mundësonte fillimin e zbatimit të paketimeve të standardizuara. Kosova ka miratuar ligjin për kontrollin e duhanit në vitin 2013. Duhani vret rreth 5.4 milionë njerëz në botë çdo vit, ndërsa një person vdes çdo 6.5 sekonda për shkak të sëmundjeve të lidhura drejtpërdrejt me duhanpirjen.

Top Channel