Media himnizon Ermonela Jahon

29/05/2016 00:00

Ermonela Jaho e ka pushtuar me kohë vëmendjen e shtypit botëror, por çmimi i fundit ishte një arritje e jashtëzakonshme për të, e një arsye më shumë për t’u rivendosur në syrin e medias, që nuk i kursen lëvdatat për sopranon e jashtëzakonshme shqiptare.

Prestigjiozja “The Economist” është më e fundit që kërkon t’i paraqesë publikut tablonë e një këngëtareje kaq të plotësuar, por e bën këtë duke hedhur edhe një vështrim nga e shkuara, e duke kërkuar të shpjegojë sesi Ermonela Jaho u bë sopranoja më e brohoritur në botë.

Atëherë kur diktatorët mbysin disidencën, – e nis gazeta artikullin e saj, – arti që mbijeton më shpesh është muzika. Ndaj nuk duhet të përbëjë një surprizë dhe aq të madhe, fakti që një artiste si Jaho, e cila rrëmbeu çmimin e këngëtares më të vlerësuar nga “bibla” e kësaj industrie, “Opera Magazine”, ka lindur e është formuar në Shqipërinë e Enver Hoxhës.

Ermonela vet e kujton me një zbavitje të dhembshur atmosferën paranojake e izoluese, në të cilën u rrit: me një kanal të vetëm televiziv dhe komedian të huaj të aprovuar nga shteti, Norman Wisdom, me bumin e emrit Adriatik, sipas detit që duhet të kapërcenin për të gjetur fatin e tyre, me qindra mijëra bunkerët që mbushnin vendin në çdo cep, por edhe me një lloj polifonie trallisëse që këndohej në dasma nëpër fshatra, që prej kohëve të vjetra.

Jaho ka një magnetizëm të jashtëzakonshëm në skenë dhe të kënduarit e saj komplotohet padiskutim nga një prani tepër e hijshme fizike. Ai zemërimi prej kafshe të plagosur, që shfaq tek “Suor Angelica”, siç thote vet artisja për “The Economist”, është zemërimi i saj. “Kur këndoj, nxjerr nga vetja gjithë çfarë kam parë e dëgjuar përgjatë jetës sime”, shprehet ajo.

Jaho, vazhdon “The Economist”, ka një bukuri tokësore ku nuk gjen gjurmë dive, e shpeshherë flet në vetën e tretë, a thua si për të treguar se progresin e saj e sheh përherë me sy objektiv.

Top Channel