Kosovë, shënohet Dita Olimpike. Vrapim 350 metra nga mbi 1.000 fëmijë

27/05/2016 00:00

Në Prishtinë është shënuar këtë të premte “Dita Olimpike”, me vrapimin 350-metërsh të mbi 1.000 fëmijëve pjesëmarrës të lindur në vitin 2008, që përkon me Pavarësinë e Kosovës.

Ky aktivitet është organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fakultetin e Shkecave të Kulturës Fizike dhe Komunën e Prishtinës.

“Fëmijët e Pavarësisë”, siç janë quajtur nga organizatorët, kanë përçuar përmes vrapimit mesazhin për përfshirje më të madhe të të rinjve në sport, veçanërisht tani kur Kosova po pranohet në federatat ndërkombëtare të sporteve.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani ka deklaruar se po bëhen përpjekje, që të inkurajohen fëmijët të zgjedhin njërin nga 35 sportet, aq sa ç’është oferta sportive në Kosovë.

Në fund, organizatorët ndanë vlerësime mirënjohjeje për të gjitha shkollat pjesëmarrëse në “Ditën Olimpike”.

Top Channel