Tërmeti i Invës në Beograd

25/05/2016 00:00

Inva Mula dhe respekti më i madh në Beograd. Duket si sinkronizim shtetëror pritja e saj. Mediat tregojnë një respekt dhe frika më nuk ekziston.

Për të treguar se gjithçka është në rregull, pritjen ia bëri kryeministri serb, ndërsa në sallë gjithçka duket gati dhe pritet publiku, fundi dhe duartoroktijet.  Por, pas 70 vjetësh në një gjuhë e zë të përbashkët artistët serbë dhe Inva Mula fundin e shfaqjes do ta kenë për fillimin e ri dhe hapat konkretë të bashkëpunimit.

Sopranoja e famshme botërisht, pret që gjithçka të shkojë mirë.

“Ishte një pritje e jashtëzakonshme dhe kur po vija tek teatri pashë që ishte fotoja ime e madhe në portën kryesore të tij. Për një artist kjo është shumë e rëndësishme dhe kupton që këtu ka dëshirë të madhe për mikpritje dhe respekt ndaj artistit. Kur m’u komunikua që Vuçiç do të më priste u emocionova pasi është gjithnjë vlerësim që i bëhet një artisti, art shqiptar dhe të jesh në këtë bashkëbisedim me një kryeministër me energji pozitive dhe që do dhe e mbështet artin, ishte bukur”, rrëfen Inva.

Inva Mula, me një interesim të pafund medial, duket se i ka dhënë fund luftës së ftohtë,  e  ftuar në shumicën e mediave në Serbi.

“Arti ka njëmesazh kaq të madh e të bukur, paqësor dhe të shpejtë. Atë që politika do vite dhe historia do shekuj, arti e ka shumë të shpejtë dhe pikërisht këto ura që mund të krijojë muzika, letërsia, arti figurativ janë urat më solide, të bukura dhe të shkurtra”, thotë sopranoja shqiptare.
 
E fundit shqiptare që ka dalë në skenë në Serbi ka qenë Tefta Tashko Koço dhe Inva Mula beson se ky do të jetë një fillim i shkëmbimeve kulturore që nuk do të ndalojë me duartrokitjet.

Top Channel