SHBA, Bob Corker mund të jetë krahu i djathtë i Trumpit president

24/05/2016 00:00

Spekulimet se do të jetë ai, njeriu që do të kandidojë në krah të Donald Trumpit për zëvendëspresident, morën hov menjëherë sapo u mësua se senatori nga Tennessee ishte takuar me të nominuarin e supozuar republikan, Donald Trump.

Corkeri u pyet nga gazetarët përse u mbajt ky takim me miliarderin njujorkez dhe për çfarë diskutuan mes tyre dy politikanët.

“Ishte nje takim i frytshëm. Në fakt nuk ishim takuar ndonjëherë përballë, deri tani kemi pasur vetëm biseda telefonike. Folëm për çështje të politikës së jashtme e atyre të brendshme. Ishte një takim i mirë”, tha Bob Corker, senator nga Tennessee.

Faktin, që emri i senatorit po lakohet për postin e zëvendëspresidentit, e pohuan edhe burime pranë fushatës së Trumpit. Megjithatë, vet Corker e pakësoi peshën e këtyre pretendimeve, duke sqaruar se ai vet nuk ka asnjë arsye për të menduar se do t’i besohet një pozicion i tillë.

63-vjeçari qëndroi në kullën “Trump” për rreth një orë e 20 minuta. Manjati i pasurive të patundshme e ka deklaruar më parë se ka ndërmend të zgjedhë një republikan me eksperiencë politike, si njeriun që do të garojë në krah të tij për Presidencën amerikane.

Bob Corker është aktualisht kryetar i Komitetit të Senatit për Çështjet e Jashtme dhe zytari më i lartë me të cilin Trumpi bisedon kokë më kokë përpara zgjedhjeve.

Top Channel