Norvegji, kur avioni luftarak të shpëton jetën

22/05/2016 00:00

Jeta e një norvegjezi të sëmurë rëndë është shpëtuar nga një avion luftarak F-16, që dërgoi mjekimet e nevojshme nga njëri cep i Norvegjisë në tjetrin në më pak se gjysmë ore.

Burri i sëmurë u dërgua në një spital të Bodosë që nuk kishte pajisjen ECMO që ndihmon mushkëritë dhe zemrën. Pa këtë pajisje ai do të vdiste. Doktorët e dinin se pajisja më e afërt ECMO ndodhej në Trondheim, 450 km larg. Që të vinte me makinë, i duheshin 10 orë dhe kjo rrezikonte jetën e të sëmurit.

Por, pas një momenti frymëzimi, doktorët vendosën të kontaktonin një bazë ajrore ushtarake pranë Trondheimit për t’i kërkuar që pajisjen ta sillnin ata me një avion luftarak.

Për fat, një avion do të kryente një fluturim stërvitor drejt Bodosë dhe brenda 25 minutave e solli pajisjen që shpëtoi një jetë.

Top Channel