Izrael, dorëhiqet ministri i Mbrojtjes: Vendi po qeveriset nga ekstremistë

20/05/2016 00:00

Ministri izraelit i Mbrojtjes ka dhënë dorëheqjen këtë të premte, duke akuzuar se vendi po qeveriset nga “ekstremistë dhe elementë të rrezikshëm”, pasi kryeministri Benjamin Netanyahu tentoi ta zëvendësonte atë me një politikan të ekstremit të djathtë, në përpjekje për të forcuar koalicionin e tij.

Burime politike të “Reuters”-it thonë se, Netanyahu i ka dhënë rivalit të tij më të ashpër, Avigdor Lieberman, portofolin e Mbrojtjes, një post tepër i rëndësishëm për një vend që ekziston mbi themelet e një lufte shumëvjeçare. Ministri i Mbrojtjes në Izrael kujdeset edhe për çështjet civile në Bregun Perëndimor të pushtuar, aty ku palestinezët që luftojnë për shtetësinë e tyre jetojnë mes fërkimeve me kolonët hebrenj.

“Me keqardhjen më të madhe dua të them se, e kam gjetur veten në një grindje tepër të vështirë mbi çështje parimore dhe profesionale me kryeministrin, me një numër anëtarësh të kabinetit dhe me disa ligjvënës”, tha ministri në largim i Mbrojtjes, Moshe Yaalon, duke lexuar me një fytyrë të zymtë një deklaratë nga zyra e tij në Tel Aviv.

“Shteti i Izraelit është i duruar dhe tolerant përkundrejt të dobtëve apo minoriteteve. Por, sërish me keqardhjen më të madhe, ekstremistë dhe elementë të rrezikshëm po vërshojnë të qeverisin Izraelin, ashtu sikurse edhe partinë Likud, duke tronditur shtëpinë tonë dhe duke kërcënuar për t’i dëmtuar ato”, tha ai, duke lënë të nënkuptohej edhe se mund të largohet nga partia në pushtet.

“Në të ardhmen do të rikthehem të garoj për udhëheqësinë kombëtare të Izraelit”, mbylli deklaratën e tij Yaalon.

Megjithatë, Netanyahu nuk i pranoi kritikat e tij. “Riformatimi i kabinetit nuk vjen si pasojë e krizës së besimit mes nesh. Ai vjen si pasojë e nevojës për të zgjeruar qeverisjen, sikurse edhe për të sjellë qëndrueshmëri për shtetin e Izraelit, duke parë sfidat e mëdha me të cilat përballet vendi ynë”, tha kryeministri përmes një videoregjistrimi.

Netanyahu, i cili mban përgjegjësi edhe si ministër i Jashtëm, shtoi se ai i kishte ofruar postin diplomatik Yaalonit, por ai kishte refuzuar. Gjithsesi, ky largim nga kabineti i Yaalonit nuk përbën ndonjë pengesë apo goditje në besueshmërinë e Perëndimit apo atij të brendshëm për qeverinë e Netanyahut.

Top Channel