S’ka suprizë! Skënderbeu, kampion i Shqipërisë

18/05/2016 00:00

Dy ndeshje, një titull, asnjë surprizë! Kampionati i diskutuar deri në javën e fundit, si rrallëherë në këto vite, prodhon të njëjtin kampion, si në pesë sezonet e shkuara.

Në Vlorë Skënderbeu bëri detyrën dhe mposhti Flamurtarin vendas me rezultatin 0-2, ndërsa në Tiranë, Partizani, ndoshta edhe nga lajmet që mbërrinin nga Vlora, lëshon terren dhe nga 1-0 humbet 1-2 në fund me Teutën.

Korçarët treguan që në minutat e para të ndeshjes që nuk kishin ndërmend të bëjnë ‘dhuratë’ për Partizanin dhe në minutën e 8 Latifi shënon golin e avantazhit.

Në Tiranë, Partizani iu përgjigj me Sukajn në minutën e 25, që kaloi “të kuqtë” në avantazh dhe zhvendosi vëmendjen e tifozëve në Vlorë, në pritje të suprizës së Flamurtarit, që luante pa asnjë objektiv në këtë ndeshje.

Por në Vlorë lajmet e mbërritura nuk ishin ato të pritura nga tifozët e Partizanit. Në minutën e 51, Plaku shënon golin e dytë, që i jep më shumë siguri dhe qetësi në lojë korçarëve.

Sikur të mos mjaftonte kjo, në kryeqytet durrsakët heshtën “Qemal Stafën”, kur gjetën golin e barazimit me anë të Lamçjas në minutën e 73-të dhe jo gjithçka do të mbaronte këtu, pasi “Djemtë e Detit” gjetën golin e dytë në minutat shtesë të takimit.

Kaq ishte deri në fund! Asnjë surprizë dhe fërshëllima përfundimtare e kampionatit i dha titullin e gjashtë radhazi Skënderbeut, të shtatin në histori, ndërsa për Partizanin ‘etja’ për titullin që mungon prej 23 vitesh, vazhdon të mbetet e pashuar…

FOTO GALERI
1/4

Top Channel