Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, Muzeu Historik Kombëtar dhe Instituti Arkeologjik në Tiranë çelin dyert deri në mbrëmje për të gjithë vizitorët. Sot hyrja në këto institucione është pa pagesë.

“Muzeu Historik Kombëtar, si në çdo festë të tillë i ka të gjitha pavionet e aksesueshme. Përveç pavionit legjendar të etnografisë, që nuk ka përfunduar ende”, tha Melsi Labi, drejtor i MHK-së.

“Natyrisht që dita e sotme është një ditë feste për Muzeun tonë të Arkeologjisë. Është një ditë gjatë së cilës ne kemi hapur dyert dhe mirëpresim të gjithë vizitorët e të gjitha moshave, grupeve”, tha më tej Luan Perzhita, drejtor i Institutit Arkeologjik.

Guida të specializuara do të mirëpresin vizitorët për të shpjeguar historinë antike nëpërmjet objekteve arkeologjike.

“Muzeu ynë do të jetë i hapur deri në 20:00 të mbrëmjes. Do të ketë ciceronë, e të gjithë stafin në gatishmëri të plotë për të pritur të gjithë vizitorët”, deklaroi Perzhita.

“Do të jetë hapur edhe pas orës 20:00, mendoj se do të qëndrojnë deri në 22:00 të darkës. Kjo për t’i dhënë publikut kënaqësinë që ta ketë mundësinë për ta vizituar Muzeun në këtë ditë të shënuar. Patjetër me të gjitha shërbimet sepse kemi të bëjmë me një institucion të rëndësisë së veçantë”, tha Labi.

18 maji u shpall Dita Ndërkombëtare e Muzeve në vitin 1977 nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e muzeve në zhvillimin e shoqërisë, si mjet i rëndësishëm i pasurisë kulturore.

Top Channel