Kosovë, miratohet në parim pr.ligji për luftimin e financimit të terrorizmit

18/05/2016 00:00

Me 59 vota pro, 4 abstenime dhe asnjë kundër, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për “parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit”.

Ky projektligj do t’i japë hapësirë autoriteteve të kundërzbulimit financiar, që të kërkojnë raporte për transaksione të dyshimta, gjë që nuk ka pasur mundësi të bëhet me legjislacionin e deritanishëm.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se, ligji i ri do të zvogëlojë hapësirat vepruese edhe të kazinove dhe lojërave të tjera të fatit.

“Detyrimi i subjekteve raportuese për të raportuar dyshimin lidhur me financimin e terrorizmit është sqaruar në këtë projektligj, duke përfshirë në mënyrë thelbësore financimin e terrorizmit në përkufizimin e aktit apo transaksionit të dyshimtë. Projektligji ka paraparë rregullim të duhur për të siguruar se, kazinotë dhe objektet e licencuara të lojërave të fatit ndalohen nga zbulimi i informacioneve për raportet e transaksioneve të dyshimta, të dërguara në njësinë e inteligjencës financiare”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave, Kosovë.

Deri në seancën e radhës, kur pritet të miratohet në lexim të dytë, projektligji për luftimin e financimit të terrorizmit duhet të shqyrtohet nëpër komisione parlamentare, me theks të veçantë në atë për Integrimin Europian, pasi është kërkesë e Bashkimit Europian, që ligji të jetë sa më i përafërt me legjislacionin europian.

Top Channel