Kaosi urban në aplikim mural

16/05/2016 00:00

Një qasje artistike ndaj hapësirës publike të çuditshme. Elementë të jetës private, që i ndërhyjnë asaj publike e pasqyruar në një arkitekturë informale. Shapka, peshqirë, perde të vjetërsuara apo shtesa të çfarëdollojshme nëpër ballkone dhe dritare.

Ledia Kostandini ka zgjedhur të rrëfejë në këtë mënyrë nëpërmjet ekspozitës së saj ‘BLOCKWORK” këtë strukturë informale të qytetit.

“Sot për sot estetika urbane është ajo që dominohet nga informaliteti, i cili ka ardhur si pasojë e një periudhe të gjatë tranzicioni, si pasojë e një mungese të menaxhimit të territorit edhe si pasojë e një pakënaqësisë që njerëzit kanë ndaj hapësirave të tyre të jetueshme edhe duke ja faturuar këto pakënaqësi hapësirës publike”, shprehet Ledia Kostandini.

Ajo filloi të shohë qytetin nga jashtë, si turiste dhe më pas të fotografonte gjërat që fillimisht ju dukën të çuditshme dhe më pas të bukura.

“Zgjohemi në mëngjesi, duke e filluar ditën ashtu siç vjen edhe nuk e vëmë re se ku jetojmë. Ne e marrim për të mirëqenë estetikën e qytetit, duke mos u përqendruar në detajet e saj”, thotë artistja.

“BLOCKWORK” na tregon Tiranën e tranzicionit dhe eksperiencën dinamike të urbanistikës së saj, e gjitha e vendosur në tullat dhe bllokun e arkitekturës komuniste. Kjo duke ju përshtatur mjedisit rrethues.

Top Channel