CIA spiunoi Mandelën. Agjenti: Druheshim se do të shpërthente lufta

16/05/2016 00:00

Ishin informacionet e CIA-s, ato që ndihmuan autoritetet e kohës në Afrikën e Jugut të prangosnin Nelson Mandelën në vitin 1962, çfarë solli më pas burgosjen e tij për plot 27 vite.

Pohimin e bën Donald Rickard, ish-zëvendës konsulli amerikan në Durban dhe ish-operativ i Agjencisë Qendrore të zbulimit.

Në një intervistë të dhënë muaj më parë regjisorit britanik John Irvin, autor i filmit “Mandela’s Gun”, por që po bëhet publike vetëm tani, Rickard shpjegon se kapja e njeriut që e çliroi praktikisht atë vend nga “Aparteidi”, ndodhi teksa po lëvizte me një autoveturë nga Johannesburgu drejt Durbanit, i maskuar si shofer.

Zbulova se po vinte dhe sesi po vinte. Ky është momenti kur unë u përfshiva dhe kur Mandela u kap, citohet të thotë Rickard. Informacionet e kaluara më pas policisë i kishte siguruar nga burime brenda Kongresit Kombëtar Afrikan.

“Ekzistonte frika se Mandela mund të nxiste një luftë në Afrikën e Jugut, ku rrezikonte të përfshihej dhe Amerika, – shton ish-agjenti. Ishim në buzë të greminës, ndaj duhej ndaluar”.

Mandela u lirua në vitin 1990 e u zgjodh President në vitin 1994. Ai ndërroi jetë në vitin 2013 në moshën 95-vjeçare. Rickard, agjent i CIA-s deri në vitin 1978, vdiq marsin e këtij viti, dy javë pas bashkëbisedimit me Irvin.

Top Channel