Putin kundër sistemeve amerikane: Eleminojmë çdo kërcënim të ri

14/05/2016 00:00

Presidenti rus, Vladimir Putin kritikoi ashpër sistemin e mbrojtjes raketore amerikane të instaluar në Rumani, duke thënë se vendi i tij do të eleminojë kërcënimet e reja.

Ai tha se qëllimi i sistemit të raketave është të dobësojë fuqinë bërthamore ruse dhe u zotua se Moska do të rrisë shpenzimet për mbrojtjen.

“Ky nuk është një sistem mbrojtës. Është pjesë e potencialit strategjik bërthamor amerikan që vjen në periferinë tonë. Në këtë rast, periferia është Europa Lindore. Këta njerëz që marrin vendime të tilla duhet të dinë se deri tani kanë jetuar të qetë dhe të sigurt. Por ndërsa disolokohen këto elementë të mbrojtjes nga raketat balistike, ne detyrohemi që të mendojmë sesi të eleminojmë kërcënimet e reja ndaj Federatës Ruse”, deklaroi Putin.

Por ndërsa Putin bëri këto komente, SHBA nisi ndërtimin e një tjetër baze mbrojtëse raketash në Poloni, edhe kjo pjesë e sistemit mbrojtës të NATO-s, zyrtarisht ndaj kërcënimeve që vijnë nga Lindja e Mesme.

Marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Rusisë janë përkeqësuar ndjeshëm që prej aneksimit të Gadishullit të Krimesë në Ukrainë në vitin 2014 nga Moska. Megjithëse sistemi mbrojtës i raketave ishte lajmëruar që para këtij zhvillimi, dislokimi i tij thjesht sa ka rritur tensionet mes Moskës dhe Perëndimit.

Top Channel