Drama “Brisku”, një histori Kosove dhe Shqipërie

13/05/2016 00:00

Drama e një të riu kosovar që ikën në Irak me shpresën e kthimit të ndritur në atdhe. Drama për emigrimin dhe traumat që ai lë pas. “Brisku” me dramaturgji dhe regji të Naser Shatrollit do të ngjitet nesër në shkenën e teatrit “Kujtim Spahivogli”.

Një dramë që prek këtë realitet, që i takon Prishtinës, Tiranës, Ballkanit por shkon edhe përtej Atlantikut.

“Shumë i ri, shkon në Irak me idenë të ndërtojë shtëpinë e tij në Kosovë. Ai e arrin këtë lloj misioni, po humb diçka që është jetike për një njeri. Traumat që ai personazh ka në kokën e tij, i kanë dhe amerikanët”, thotë regjisori Naser Shatrolli.

Liria dhe kërkimi këmbëngulës i saj. Një liri e kërkuar në ikje, por që nuk gjendet nëse nuk zhvendoset në brendësi të personazhit dhe realitetit që e rrethon atë.

“I takon Tiranës shfaqja, sepse kam bindjen që do të gjejë një copë të jetës së vet. Liria nënkupton të kesh lirinë me vetveten tënde”, vijon Shatrolli.

Një histori, ëndrrash dhe entuzizmi të thyer në brendësi të një berberhane, I sjell publikut shqiptar mesazhin e kërkimit të thesarit në shtëpinë e vet. “Brisku” sjell të shkuarën dhe të tashmen nën ndjesinë e një dramaturgjie bashkëkohore.

“Ta them dhe një detaj, publiku do të jetë në skenë”, thotë regjisori.

Top Channel