Tërmeti i “Panama Papers”, kryeministri i Zelandës së Re dëbohet nga Parlamenti

11/05/2016 00:00

Kryeministri neozelandez u detyrua të braktiste sallën e Parlamentit, pasi iu kërkua një apologji mbi pretendimet e tij se, “Greenpeace” dhe “Amnesty International” ishin përfshirë në skandalin e “Panama Papers”.

John Key vazhdoi të fliste pa pushim, edhe kur kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve i mbylli mikrofonin dhe e urdhëroi të ulej në vendin e tij. Kjo është hera e parë, që Keyt i kërkohet të lërë sallën, tashmë në pozitat e shefit të ekzekutivit, pasi është përzënë tri herë të tjera më parë, kur ishte ligjvënës në opozitë.

“Qetësi, qetësi, kryeministri të ulet në vendin e tij. Qetësi. Kryeministri tani do të lërë sallën. Ia dhashë një paralajmërim të drejtë dje. Kur unë çohem e kërkoj qetësi, ai nuk do të trajtohet ndryshe nga asnjë anëtar tjetër i kësaj dhome”, tha David Carter, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Qeveria neozelandeze u shpreh muajin e kaluar se, do të rishikojë ligjet e trusteve të huaja, duke qenë se çështja e “Panama Papers” nxori në pah dobësi në kornizën ligjore, që e kthyen atë në urë të mundshme për strukturat ndërkombëtare të shmangies së taksave, pasi trustet e huaja nuk janë subjekt tatimi.

Sakaq, në vështirësi e gjen veten për shkak të aferës së firmës ligjore panameze, edhe kryeministri australian, Malcolm Turnbull, i cituar në dokumente si ish-drejtor i kompanisë britanike në Ishujt Virxhin “Star Technology”, të krijuar nga “Mossack Fonseca” në vitet ’90. Ish-bankieri miliarder mohon të ketë bërë ndonjë veprim të gabuar.

Top Channel