Brazil, nis debati në Senat; Rousseff luan kartën e fundit

11/05/2016 17:55

Senati i Brazilit ka filluar debatin nëse presidentja Dilma Rousseff duhet të përballet me një proces gjyqësor për akuzat që rëndojnë ndaj saj.

Nëse një shumicë e thjeshtë voton në favor, siç pritet të ndodhë, zonja Russeff do të pezullohet automatikisht nga detyra. Debati i së mërkurës ka nisur një orë me vonesë.

Kryetari Renan Calheiros paralajmëroi: “Nuk do të ketë ndryshime, sesioni do të drejtohet në mënyrë tërësisht normale dhe çdo vonesë nuk do të jetë pozitive për Brazilin”.

Senatorja Gleisi Hoffman, ish-shef i personelit të zonjës Rousseff, e quajti procedimin si “të padrejtë”.

“Procedurat ligjore që do të shqyrtohen këtu sot për të arritur shkarkimin e presidentes nuk do të përdoren kundër ndonjë politikani tjetër. Ato janë krijuar ekskluzivisht për të anuluar rezultatet e zgjedhjeve të kaluara”, tha ajo.

Në prag të votimit, presidentja luajti kartën e fundit të saj, duke i kërkuar Gjykatës Supreme që të bllokojë procedimin ndaj saj, duke cituar një seri parregullësish.

Kryetarja e shtetit akuzohet se ka manipuluar të dhënat financiare për të fshehur borxhin publik në rritje, e ndodhur kjo në prag të rizgjedhjes së saj në vitin 2014, akuzë të cilën ajo e mohon.

Debati për të paditur presidenten ka përçarë Brazilin. Ditën e martë, mbështetësit e saj protestuan duke u vënë zjarrin barrikadave e duke bllokuar rrugët, duke shkaktuar kaos në mbarë vendin.

Top Channel