Euro 2016, siguria kalon kufirin

10/05/2016 00:00

Si asnjëherë më parë Parisi dhe qytetet që do të presin ndeshjet finale të Europianit 2016, do të jenë në një standard sigurie që nuk është aplikuar kurrë në Francë. Operacionet e sigurisë në vendin transalpin do të jenë më të mëdhatë që janë vendosur ndonjëherë për një ngjarje sportive në kontinentin e vjetër.

Masat do të jetë veçanërisht të rrepta në zonat e tifozëve, ku rreth 8 milionë përkrahës të përfaqësueseve të ndryshme, duke përfshirë dhe atë shqiptare,  pritet të mblidhen për të parë futbollin në ekranet e mëdha dhe të cilat janë shumë më të prekshme se stadiumet për shkak të ekspozimit.

Paris Fan Zone, më e madhja në Francë për Euro 2016, do të jetë e vendosur në një hapësirë sa 30 fusha futbolli të marra së bashku, dhe shumë pranë Kullës Eiffel.
 
“Festa tashmë ka nisur dhe standardet më të larta të sigurisë në një turne sportiv janë vendosur. Në veçanti zonat e tifozëve do të jenë si barrikada nga jashtë dhe do të ketë sistem kontrolli të dyfishtë”, tha kryebashkiakja e Parisit, An Hidalgo, mbajtësja e peshës kryesore mes homologeve të saj për turneun e kësaj vere.

Dedektorët metalikë, sistemi i mbrojtjes nga toka dhe ajri si dhe survejimi me kamerë nga distancë e largët dhe me drone, do të ndihmojë forcat e sigurisë që të evitojnë rrezikun potencial terrorist, por edhe trazira të mundshme mes tifozëve.

Por pavarësisht masave të marra dhe aksioneve simuluese, në Francë ekziston frika se mund të ripërjetohen tragjedi të ngjashme me sulmin në redaksinë e Charlie Hedbo apo atentatet në teatrin “Bataclan” nga ekstremistët islamikë.

Top Channel