Tifozët anglezë, frikë në Marsejë

08/05/2016 00:00

Pas kërcënimeve nga ISIS dhe planeve për sulme terroriste që mund të kthejnë Euro 2016 në një pellg gjaku të paprecedent, ndaj tifozëve anglezë ka ardhur një tjetër paralajmërim, këtë herë nga huliganët.

Mbështetësit që do të ndjekin kombëtaren e “3 luanëve” në Marsejë kanë gjetur dy muaj përpara oponencën e huliganëve rusë për ndeshjen e parë të këtyre ekipeve në turne.

Kjo zonë konsiderohet si “kryeqyteti i kriminelëve dhe kallashnikovit” në Francë me të paktën 1/3 e ngjarjeve penale që regjistrohen në këtë distrikt. Hera e fundit që Anglia luajti në një aktivitet madhor futbollistik në “Velodrome”, trazirat që pasuan u cilësuan si “Beteja e Marsejës”.

Për të evituar incidente të rënda, Federata Angleze ka kontaktuar me Scotland Yard dhe një ekip policësh do të jenë prezent në Marsejë për të shoqëruar mijëra tifozët.

Aty ku ka turistë ka dhe fitime të majme. Pikërisht për këtë në qytetin port është shtuar ndjeshëm trafiku i drogës që do të influencojë në shtimin e prezencës së kriminelëve sidomos gjatë muajit të Europianit 2016.

Banda të ndryshme ruse ndërkohë kanë kërcënuar në forume të ndryshme se kanë ende çështje të pazgjidhura me huliganët anglezë. Më shumë se 200 kamera me qark të mbyllur kanë nisur të instalohen në impiantin “Velodrome” dhe që do të kontrollohen nga një njësi policore.

Top Channel