Tradita e një mbiemri të madh në muzikë konkretizohet në një koncert brezash. Eno dhe Gent Koço sjellin edhe njëherë natyrshëm trashëgiminë muzikore të Tefta Tashkos. Një ilirikum dhe një truall të lashtë të shqiptarëve, nëpërmjet kompozimit më të ri të Endri Sinës, si dhe simfoninë e V-të të Shostakoviç, në një koncert të orkestrës simfonike të RTSH-së.

“Është një kënaqësi e madhe që luan me djalin. Ky është i pjekur, muzikant dhe më dikton mua se ç’duhet të bëj. Edhe unë rri e dëgjoj. Nuk është roli i babait mbi djalin, por e kundërta”, thotë Eno Koço, dirigjent.

Gent Koço ka zgjedhur Paganinin, Koncertin Nr. 4, një trashëgimi kapriçosh ekstravagante, të cilat kompozitori violinist me gjeninë e tij i ka përcjellë deri në ditët tona.

“Është një koncert i vështirë, i ekspozuar dhe pak delikat, por është kënaqësi”, tha Gent Koço, violinist.

Genti vjen i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij klarinetiste.

“Luaj në simfoninë numër 5 të Shostakoviçit, klarinetë. Është një eksperiencë shumë emocionuese. Do të jetë një koncert fantastik dhe është veçanërisht emocionuese për mua, sepse Genti luan violinë, ndërsa vjehrri im dirigjon”, tha Jenny Stevenchon Koço, klarinetiste.

Koncerti muzikor do të mbahet më 6 maj në sallën e Universitetit të Arteve, për të na vërtetuar edhe njëherë suksesin e një pinjolli të ri në gjurmët e paraardhësve.

Top Channel