Trazira në Irak. Pas mësymjes, shiitët qëndrojnë para Parlamentit

01/05/2016 00:00

Me qindra mbështetës të klerikut të fuqishëm shiit, Moktada al Sader, po qëndrojnë përpara ndërtesës së Parlamentit në Bagdad, një ditë pas mësymjes së saj mes zemërimit që ka ngjallur në radhët e tyre vonesa e aprovimit të një qeverie teknokratësh.

Pas një jave protestash, turma e njerëzve hyri një ditë më parë me forcë në zonën e gjelbërt, shtëpi e ambasadave dhe ndërtesave qeveritare.

Sistemi irakian i ndarjes së posteve qeveritare është kritikuar prej kohësh si promovues i kandidatëve të pakualifikuar dhe inkurajues i korrupsionit. Edhe pse ekzekutivi është balancuar me kujdes mes besnikësh partiakë e fetarë, vendi renditet i 161-ti në indeksin e korrupsionit të “Transparency International” me 168 vende gjithsej.

“Ose t’i zhdukin zyrtarët e korruptuar dhe kuotat e mbetura, ose do ta rrëzojmë të gjithë këtë qeveri e s’do të kursyejmë askënd”, tha al Sadr në fjalimin e transmetuar në televizion, pak përpara mësymjes së ndërtesës së Parlamentit.

Kryeministri Haider al-Abadi u ka kërkuar demonstruesve të largohen nga zona e gjelbërt prej 10 kilometrash katrorë e të kthehen në vendet e caktuara për protesta. Autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, çfarë detyron mbylljen e përkohshme të hyrjeve në qytet, por nuk është vendosur ndalimqarkullimi.

Top Channel