Kosovë, përkujtohet masakra e Mejës; Thaçi: Drejtësi për viktimat

27/04/2016 00:00

Për të përkujtuar 376 të vrarët në masakrën e Mejës, të mërkurën në këtë fshat të Gjakovës u mblodhën bashkë familjarë e zyrtarë të lartë.

Nga kjo ceremoni përkujtimore në ditën e të pagjeturve, presidenti Hashim Thaçi i kërkoi Serbisë t’i pranojë krimet që ka kryer në Kosovë.

“Dua të ketë drejtësi për viktimat e luftës, drejtësi për të gjitha viktimat pa dallim etnie. Kosova është treguar e vullnetshme që të bashkëpunojë me të gjithë, të marrë mbi vete çdo detyrim, që të sqarohen dhe të dënohen krimet e kryera nga kushdo dhe ndaj kujtdo. Kjo duhet të kërkohet nga të gjithë në rajonin tonë. Përfshirja e shtetit të Serbisë në krimet e kryera në Kosovë është dëshmuar, Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, prandaj shteti i Serbisë duhet të pranojë se ka kryer krime”, deklaroi Thaçi.

Në vendin e masakrës, që sot mban emrin “Lëndina e Pikëllimit”, familjarët përkujtojnë por dhe kërkojnë më shumë nga shteti. Sanije Lulaj kujton sesi paramilitarët serbë ia vranë vëllanë e vetëm, ndërsa ndan zemërimin për fatin e pazabardhur të shumë të tjerëve.

“Zoti ua ktheftë atyre, sepse nuk duhet të shkelësh gjakun e shqiptarit, që mbi 100 vjet ishim nën këmbët e serbëve dhe prapë duan të na lënë nën këmbët e serbëve udhëheqësit tanë”, u shpreh Lulaj.

Ndërsa kryetari i Këshillit për të Pagjeturit, Bajram Qerkini fajësoi edhe ndërkombëtarët që nuk po i bëjnë presion Serbisë për të treguar për varrezat masive të shqiptarëve të zhdukur.

Në kuadër të javës së të pagjeturve janë mbajtur edhe disa aktivitete në lidhje me fatin e atyre që edhe pas 17 viteve nuk dihet ku ndodhen.

Top Channel