Bayern Munchen, për t’u kurorëzuar në Berlin. Hapi i parë drejt “tripletës” së radhës

22/04/2016 00:00

Ashtu siç ndodhi në vitet 2010 e 2014, Bayern Munchen mund të fitojë titullin e Bundesligës këtë të shtunë në Berlin ndaj Herthës, në javën e 31-të të kampionatit gjerman. Një fitore në kryeqytet, e kombinuar me një dështim të Dortmundit në Stuttgart, do të bëjë që “Meisterschale” të mbetet përsëri në Bavari, kur do të duhen edhe 3 javë nga fundi i sezonit.

Ky do të ishte hapi i radhës drejt një “triplete” (triumf i trefishtë) potenciale për formacionin e Pep Guardiolës, me këtë të fundit në javët e fundit nën drejtimin e skuadrës më të suksesshme në futbollin gjerman.

Një favorit para ndeshjes gjysmëfinale ndaj Atleticos së Madridit në Champions League dhe me një vend të sigurtë në finalen e Kupës së Gjermanisë, Bayerni mund të zyrtarizojë titullin e katërt radhazi në fundjavë.

Ka shumë tifozë, që preferojnë shtyrjen e festës, në mënyrë që të festojnë me “lumenj” birre dhe simbolet tradicionale në kryeqendrën e Bavarisë, por mbetet për t’u parë se çfarë do të ofrojë skenari i Bundesligës këtë të shtunë. Sezonin e kaluar, Bayerni festoi përmes ekranit të vogël, pasi Wolfsburgu dështoi ndaj Borussia Munchengladbach, duke iu dhënë kampionëve sigurinë matematikore.

Tri pikët ndaj Herthës së Berlinit, në stadiumin “Olympic”, duken një rutinë në letër, pasi në 24 përballjet e fundit bavarezët kanë dominuar, madje duke lejuar vetëm një humbje. Pikërisht në Berlin, Bayerni ka firmosur “tripletën” e famshme nën drejtimin e Jupp Heyneckes në vitin 2013.

Top Channel