“Shëndeti publik rrezikohet nga pornografia”

20/04/2016 09:00

Jutah bëhet shteti i parë amerikan që shpall pornografinë një rrezik të shëndetit publik, në një lëvzije që guvernatori i këtij shteti thotë se do të mbrojë familjet dhe të rinjtë.

Ligji nuk ndalon pornografinë në këtë shtet kryesisht mormon, por kërkon përpjekje më të mëdha për të parandaluar ekspozimin e varësinë ndaj saj. Sipas ligjit, pornografia krijon një ambient toksik seksual dhe po kontribuon për hiperseksualizimin e adoleshentëve, madje edhe fëmijëve. Autoritetet në Jutah mendojnë se duhen marrë më shumë masa për të ndryshuar edukimin, parandalimin, kërkimet dhe politikat në komunitet kundër pornografisë që cilësohet një epidemi, megjithëse në ligj nuk cilësohet se si duhet të implementohen këto ndryshime.

Gjithsesi, guvernatori republikan i Jutah, Gary Herbert, firmosi ligjin duke thënë se niveli i pornografisë në shoqëri është tronditës. Duket se autoritetet e Jutah u detyruan që të bënin diçka, pasi studime të ndryshme në SHBA kanë treguar se ky shtet mban vendin numër 1 në Amerikë për shikimin e pornografisë “online”. Ligji u mbështet nga grupi i quajtur “Lufta kundër Drogës” dhe mediat amerikane thonë se themeluesit e tij janë që të gjithë anëtarë të kishës së Jezu Krishtit apo asaj mormone, megjithëse ata mohojnë që të punojnë në llogari të këtyre institucioneve fetare.

Reagimi ndaj këtij ligji ka qenë mjaft i madh dhe shumë qytetarë kanë ironizuar me autoritetet në Jutah që po përpiqen të mbrojnë moralin e njerëzve dhe për këtë arsye nxjerrin ligje arkaike morale.

Top Channel